(Një pjesë e shkëputur nga “Libri i mësueses së arsimit parashkollor”, botim i vitit 2007)
Në kohën e lirë, ose gjatë zhvillimit të aktivitetit ditor, mund të zërë vend edhe puna për realizimin e projekteve ose miniprojekteve, në të cilat mësuesja parashikon të realizojë objektivat që u përkasin fushave të ndryshme. Projekti lind dhe zhvillohet mbi bazën e aftësive, bagazhit të njohurive dhe përvojës së vetë fëmijëve. Por gjithmonë tema e projektit duhet të lidhet me veprimtarinë e përditshme të tyre, duke diskutuar paraprakisht rreth temës për të cilën mendohet të zhvillohet projekti. Në fillim mblidhet informacioni i duhur rreth temës, duke dëgjuar mendimet dhe diskutimet e fëmijëve, idetë dhe sugjerimet e tyre. Më pas, këto mendime dhe ide mësuesja i bën objekt diskutimi dhe përcaktohen rrugët e realizimit të projektit. Nëse tema do të gjejë mbështetje te fëmijët dhe do të ngjallë kuriozitetin e tyre dhe dëshirën për të kërkuar, atëherë entuziazmi do të përfshijë pjesën më të madhe të grupit dhe tema në fjalë mund të kthehet në një projekt edukativ. Mësuesja ka për detyrë ta mbështesë këtë projekt e të nxitë debatin (por duke lejuar që mendimi të përpunohet nga vetë fëmijët), si dhe të gjejë metoda që do t’u sigurojnë atyre zbulimin shkallë-shkallë të të panjohurave që shoqërojnë realizimin e tij. Ndërsa çdo fëmijë shpreh lirshëm mendimin e tij, diskuton dhe mbron idetë e veta me shokët e grupit, mësuesja duhet që të sigurojë mjedisin e përshtatshëm, me qëllim që të aktivizohen të gjithë të interesuarit: fëmijë, mësues, prindër, personeli ndihmës etj. Gjatë realizmit të projektit, fëmijët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe me të rriturit (mësues, prindër, motra, vëllezër, gjyshër etj), kërkojnë, vërtetojnë hipoteza dhe ide, derisa të arrijnë në një mendim të përbashkët. Gjatë punës për realizimin e projektit ose miniprojektit, ata do të punojnë kryesisht në grupe të vogla, duke rritur kështu vlerësimin dhe vetëvlerësimin për punën e tyre dhe të shokëve të tjerë të grupit. Gjatë kësaj kohe forcohet fryma e solidaritetit dhe krijohet mundësia për të shkëmbyer mendime. Por ndërkaq ata edhe do ta kundërshtojnë njëri-tjetrin e do të zhvillojnë frymën e debatit. Më pas, me tolerancë, i pranojnë mendimet e kundërta duke ndryshuar edhe mendimin e tyre.
Këto tema mund të plotësojnë veprimtarinë njohëse-edukative të planifikuar në planin mujor, javor apo ditor, por mund të jenë edhe tema të reja që nuk kanë lidhje me aktivitetin ditor. Në këto çaste mund të lindë ideja për të zhvilluar miniprojektin e parë, që mund të ketë si temë: Njohja me grupin dhe kopshtin tim ose Tani jam në kopsht. Por mbase mund të jenë edhe tema të tjera, si: Rregullat e grupit, Pushimet e mia, Deti etj. E rëndësishme është që tema e miniprojektit të dalë nga dëshirat e vetë fëmijëve dhe në të të përfshihen pothuajse të gjithë fëmijët e grupit, duke realizuar kështu edhe synimet e veprimtarisë njohëse-edukative.
Kështu, për të realizuar miniprojektin me temë “Deti”, hidhen idetë e para dhe fillon diskutimi. Në të vërtetë, për fëmijët kjo është një temë e bukur dhe e prekshme nga të gjithë, sepse të gjithë ata e kanë parë detin, janë lagur në bregun e tij, kanë notuar në të, kanë ndërtuar kala prej rëre etj. Të nxitur nga mësuesja dhe nga idetë e shokëve, fëmijët diskutojnë bukur dhe me pasion kur e përshkruajnë detin. Më pas lind dëshira që ta kenë atë në mjediset e grupit të tyre. Po si ta realizojnë këtë ide? Shtrohen për diskutim shumë mënyra: me letër bojë qielli, me plastmasë bojë qielli, në një vaskë plastike bojë qielli etj. Pasi diskutohet gjerësisht, mund të vendoset për shembull se është më mirë në një plastmasë bojë qielli të vendosur në një govatë plastike te këndi i rërës dhe i ujit. Fëmijët, por edhe prindërit, fillojnë dhe shtojnë çdo ditë materiale të ndryshme: guaska, leshterikë, peshq të vegjël në akuarium, revista me pamje nga deti, varka letre dhe plastike etj. Ndërkaq fëmijët tregojnë kuriozitete, ngjarje e histori të jetës në det, të treguara nga prindërit ose gjyshërit në shtëpi. Ata diskutojnë në grupe të vogla duke shprehur lirshëm mendimet e tyre (fjala përbën elementin themelor të shprehjes së mendimit). Ndërkaq ata i shprehin mendimet dhe mbresat e tyre edhe nëpërmjet vizatimit, punës me tel ose me baltë, figurave të prera dhe të ngjitura tek afresku “Deti” etj.
E mira do të ishte që, në fund, miniprojekti të finalizohet me një panel, që mund të jetë një tablo, një maket apo një afresk, në të cilin kanë punuar të gjithë fëmijët dhe ku janë përdorur teknika të ndryshme për realizimin e tij, si vizatime me bojëra uji, me gishta, aplikacione të prera dhe të ngjitura nga vizatimet ose fotografitë e fëmijëve etj. Mësuesja duhet të jetë e vëmendshme që në realizimin e projekteve të përfshijë të gjitha fushat e standardeve të përmbajtjes në arsimin parashkollor nëpërmjet aktiviteteve që do të realizojë në kënde të ndryshme. Në të gjitha këto veprimtari nuk duhet harruar përfshirja e prindërve të fëmijëve. Ky komunikim mund të realizohet shumë mirë duke vendosur te dera e grupit një njoftim, ku prindërit vihen në dijeni për atë që po bëhet me fëmijët e tyre dhe duke i ftuar ata që të bëhen pjesë e saj.
KOMUNIKIMI MËSUESE – PRIND
Të nderuar prindër!
Ne jemi duke zhvilluar me fëmijët veprimtarinë mësimore-edukative me temë: “Familja ime”. Ju lutemi, ndihmojeni fëmijën tuaj me informacion për lidhjet e tij me pemën gjenealogjike të familjes. Plotësojeni këtë informacion me fotografi të vjetra ose të reja të familjes suaj. Fëmija juaj mund t’i sjellë në grup dhe të flasë me ne dhe me fëmijët e tjerë për to.
P.S. Rrugës kur të sillni fëmijën në kopsht, shikoni lindjen e diellit dhe diskutoni për karakteristikat e stinës në të cilën jemi. Miniprojekti që ne po punojmë këto ditë e ka emrin “Vjeshta”. Na ndihmoni me materiale të riciklueshme, si: gota kosi bosh, ruletë e letrave të kuzhinës dhe higjienike, letra karamelesh, çokollatash, bishta druri të akulloreve, fije akriliku më ngjyra të ndryshme, kuti kartoni të madhësive të ndryshme etj. Çdo gjë pa vlerë për ju, që hidhet ose nuk përdoret ka vlerë për ne, sigurisht jo gjëra të rrezikshme.
Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin!
Në fund të vitit mësimor mund të organizohet një ekspozitë e përbashkët me panelet ose maketet e përfunduara të miniprojekteve të zhvilluara në kopsht në grupe të ndryshme, ku ftohen edhe prindërit e fëmijëve, gjyshërit e tyre, bashkëmoshatarë të kopshteve të tjera bashkë me mësueset etj.