Vizita jonë te kopshti “Amla” në Durrës ishte një përvojë vërtet e bukur dhe mbresëlënëse. Fëmijët u njohën me librat tanë, si dhe me lojërat didaktike. Dhe më e rëndësishmja: mësuam së bashku, përmes bisedave e demonstrimeve, sesi mund të lexohet e si mund të punohet me një libër. Vogëlushët, po ashtu, shprehën mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre gjatë shfletimit dhe leximit të librave. E ndërkaq, gjetëm rast edhe të luanim e të argëtoheshim së bashku për disa çaste.
Në fund të vizitës, kur fëmijët na falënderuan me buzëqeshjet e tyre të çiltra, u premtuam se ky do të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të përbashkët drejt një të ardhmeje më të mirë, ku librat do të jenë bashkudhëtarë të përhershëm.
Për ne kjo ishte një ditë që na mbeti në zemër dhe na nxit të vazhdojmë të ndajmë bukurinë dhe pasurinë e fjalës së shkruar me sa më shumë fëmijë. Sepse librat dhe leximi i tyre i vazhdueshëm do të zbukurojnë e fisnikërojnë shpirtrat dhe zemrat e tyre.