Pyetje: Si redaktor me një përvojë mbi 25-vjeçare e që keni redaktuar rreth 500 libra gjatë këtyre viteve, çfarë do të thoshit për rolin e redaktorit në një shtëpi botuese?
Përgjigje: Siç e theksova edhe më lart, ajo çka vihet re është se pjesa më e madhe e shtëpive botuese nuk kanë fare redaktorë. Disa të tjera kanë punësuar individë që thjesht bëjnë punën e korrektorit, por vetëquhen redaktorë apo cilësohen si të tillë nga pronarët e shtëpive botuese. Korrektura, natyrisht, është një proces shumë i rëndësishëm, por bëhet pas redaktimit të librit.
Redaktori është personi më i rëndësishëm në redaksinë e një shtëpie botuese, ndonëse përherë puna e tij mbetet në hije dhe nuk përmendet thuajse në asnjë rast. Po ashtu, ai është dhe bashkëpunëtori më i ngushtë për çdo autor e përkthyes. Në njëfarë mënyre, shpesh bëhet pjesë e rëndësishme e suksesit apo dhe e dështimit të një libri, por ka edhe rolin e “ndërmjetësit” mes autorit dhe lexuesit. Këtu e kam fjalën për redaktorin e vërtetë, atë që zotëron aftësi dhe kompetencë profesionale të dallueshme e jo për redaktorë që marrin role prej furacaku.
Redaktimi nuk është thjesht një profesion si gjithë të tjerët. Nuk mjafton të kesh përfunduar studimet për gjuhë-letërsi dhe aq. Përveç përgatitjes solide filologjike, njohjes së krijimtarisë së autorëve, stileve të të shkruarit dhe shprehimësisë, redaktori duhet të zotërojë dije themelore nga shumë fusha, por sidomos nga ato të kulturës, artit, historisë dhe shkencës.
Pyetje: Dhe cila është detyra kryesore e një redaktori në raport me një libër?
Përgjigje: Mendoj se, së pari, duhet një lloj talenti për të lënë gjurmë në këtë profesion. Pra, duhet të zotërosh me doemos mjeshtërinë e krijimit, të rrëfimit. Te jesh mjeshtër dhe magjistar i fjalës. Besoj se, kur të dhënave që theksova më lart iu bashkohen pasioni, kompetenca profesionale dhe përvoja, atëherë i ke plotësuar kushtet për t’u quajtur vërtet redaktor.
Pasi libri lexohet dhe shqyrtohet në redaksi, redaktori argumenton nëse ia vlen të botohet apo jo. Kur arrihet në përfundimin se ka vlera të qenësishme artistike dhe ia vlen të botohet, atëherë nis procesi i redaktimit. Më kryesorja gjatë redaktimit është që të ruhet stili i autorit, fryma e tij, mënyra e tij e të rrëfyerit. Me ndërhyrjet e tij, redaktori zgjedh fjalën e bukur, i jep asaj vlerë – si të thuash, e lëmon atë, e përkëdhel, i jep tingëllimë. Po ashtu, heq apo zëvendëson fjalët parazitare. Bën kujdes që të respektojë rendin e gjymtyrëve të fjalisë sipas sintaksës së shqipes.
Ndërkaq, dua të theksoj edhe një element që pak vihet re. E kam fjalën për ritmin e brendshëm që i duhet ruajtur (ose që i duhet dhënë kur nuk e ka) tekstit letrar, sidomos prozës. Sepse edhe proza, në shumë raste, ashtu si poezia, ka ritëm. Dhe ritmi përftohet deri dhe nga mënyra si ndërtohet dhe organizohet fjalia, nga shenjat e pikësimit që përdoren, nga fjala që zgjidhet, nga shtimi apo heqja e një lidhëze apo parafjale. Është një bashkëveprim e një lloj koherence elementesh të rrëfimit, atyre stilistikorë, kuptimorë e gramatikorë. Është, në fund të fundit, magjia e bukur e artit të fjalës.
(Pjesë e shkëputur nga një intervistë e disa viteve më parë e redaktorit të shtëpisë botuese “Polis”, z. Sejdin Cekani)