Ky roman i Emanuela Canepa-s ka fituar çmimin ‘’Calvino’’ për vitin 2017. Titulli i tij intrigues është si një lloj përkufizimi përçmues që minimizon figurën femërore, jo racional dhe instinktiv, po ndërkaq nxjerr në pah jo vetëm kontradiktat e brendshme të femrave, por edhe brishtësinë e meshkujve. Autorja përshkruan një udhëtim sentimental, gjatë të cilit dinamikat e pushtetit përmbysen dhe zbulojnë se sa të pafuqishëm jemi përballë njerëzve që duam. Një lojë befasuese joshjeje, që ndonëse analizon me vëmendje psikologjinë mashkullore, me anë të një vëzhgimi të rreptë i kushton rëndësi të veçantë forcës karakteristike të femrës.
Rrëfyesja e kësaj historie është Rozita, një vajzë nga Jugu i Italisë, e cila arratiset nga qyteti i vogël asfiksues dhe nga nëna e saj posesive për të studiuar mjekësi në Padovë. Ajo është e druajtur, e heshtur dhe qëllimisht anonime. Aspirata e saj më e madhe është që të mos vihet re dhe t’iu shmanget sa më shumë sulmeve të jetës, duke u kënaqur me faktin që mund t’ia dalë mbanë duke studiuar e duke punuar njëkohësisht si kasiere në një supermarket. Situata ndryshon kur, nga një incident i rastësishëm, në jetën e saj hyn avokat Leporja, pronari i njërës prej studiove ligjore më me emër në qytet, një burrë me pushtet dhe prestigj, dominues, arrogant e cinik, i cili duket se e studion gjininë femërore nga kulmi i neverisë së tij për botën. Si një zoolog cinik dhe pothuajse i lig, ai i gjykon femrat, i klasifikon, përfiton nga pozicioni i tij për t’i tallur e poshtëruar, për t’i përcaktuar ato si “bisha interesante e me dobësi”.
Kësisoj, Rozita e gjen veten të përfshirë në një lojë delikate psikologjike, një nënshtrim i përcjellë me shikime, qortime të kamufluara dhe detyrime profesionale.
Dueli psikologjik midis dy protagonistëve, që pasqyrohet në dialogun e prerë midis tyre, i jep librit ritëm, nxit kureshtjen dhe nuk të lejon ta heqësh nga duart.