1. Home
  2. Libra për fëmijët 2-6 vjeç
  3. Libra për fëmijët 3-4 vjeç
  4. LIBRI 1 Për lëndët: Gjuhë shqipe Artet (Muzikë & Arte pamore) Edukim për shoqërinë (Për fëmijët e grupmoshës 3-4 vjeç)
Botimet e reja, Libra për fëmijët 3-4 vjeç

LIBRI 1 Për lëndët: Gjuhë shqipe Artet (Muzikë & Arte pamore) Edukim për shoqërinë (Për fëmijët e grupmoshës 3-4 vjeç)

Autor: DR. Ermioni Cekani
5.00 

Përshkrim i shkurtër:

Librat për grupin e parë janë hartuar duke u mbështetur plotësisht në
“Kurrikulën e Re të Arsimit Parashkollor”, në “Standardet e zhvillimit dhe të
të nxënit”, si dhe në “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç) 1 ,
ku theksohet: “Për çdo fushë të nxëni janë ndërtuar programe, nëpërmjet të
cilave përmbushen si rezultatet e kompetencave kyçe, ashtu edhe
kompetencat lëndore”.

Kompetencat kyçe për nxënie gjatë gjithë jetës, janë 7:
1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit.
2. Kompetenca e të menduarit.
3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë.
4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin.
5. Kompetenca vetjake.
6. Kompetenca qytetare.
7. Kompetenca digjitale.

Për secilën prej këtyre kompetencave janë përcaktuar njohuritë që fëmija
duhet të zotërojë në përfundim të grupit të parë. Këto njohuri ne i kemi
pasqyruar në veprimtari praktike dhe mësimore-edukative te librat e grupit
të parë.
Niveli i veprimtarive të secilit prej librave të kompletit të grupit të parë vjen
duke u vështirësuar në mënyrë progresive. Prandaj, disa këshilla për të
arritur rezultatet e dëshiruara mund të ishin:
– punoni me secilin prej librave sipas radhës në të cilën janë vendosur
njohuritë që duhet të përvetësohen,

1 . “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), Tiranë, 2017, Instituti i Zhvillimit të Arsimit.

– nëse fëmija lodhet ose mërzitet me ndonjërën nga faqet, kalojeni atë faqe
për t’iu rikthyer sërish një ditë tjetër, kur fëmija të ndihet i gatshëm,
– përsëritini gjërat vazhdimisht, sepse përsëritja dhe praktika do ta
ndihmojnë fëmijën të ndërtojë aftësitë dhe sigurinë,
– kur i pyesni fëmijët, konkretizojuani pyetjen me figura (mos i fshihni
figurat, sepse ato janë të dhëna vizuale dhe fëmijët kanë nevojë për to në
këtë grupmoshë),
– zgjidhni një çast kur fëmija është i gatshëm për të mësuar (jo ta ulni pa
dëshirën e tij),
– lexoni me zë të lartë dhe tregoni me gisht udhëzimet në secilën faqe (ato
janë shkruar duke përdorur një fjalor të thjeshtë për grupmoshën, por juve
mund t’ju duhet t’i shpjegoni edhe më shumë, kur fëmija jua kërkon këtë),
– ndihmojeni fëmijën ta mbajë lapsin ashtu siç duhet,
– lavdërojeni dhe vlerësojeni për punën dhe përpjekjet e tij,
– mos i lini fëmijët që të mundohen gjatë (më mirë jepini ndihmë sesa të
“prisni” për një përgjigje).
Këto libra janë hartuar me kërkesa të qarta, janë shoqëruar me figura
zbavitëse relativisht të mëdha, bardhë e zi apo me ngjyra, në mënyrë që të
tërheqin vëmendjen e fëmijëve dhe të nxisin interesin e tyre për të punuar
me dëshirë.
Çdo temë dhe veprimtari e këtyre librave parakupton që edukatorja dhe
fëmijët (apo prindërit dhe fëmijët) të punojnë së bashku, sepse fëmijëve të
kësaj grupmoshe iu nevojitet udhëzimi dhe mbështetja.
Në krye të secilës prej faqeve të këtyre librave është vendosur kompetenca
që synon të realizohet në atë temë dhe njohuria që pritet të përvetësohet.
Lexojini me zë të lartë udhëzimet në çdo faqe, përsëritini disa herë, deri sa
të bindeni që fëmija i ka kuptuar.

Në përfundim të çdo libri është një test përfundimtar, i cili synon që të matë
njohuritë që fëmija ka fituar, por edhe nëse ato përputhen me rezultatet e
pritshme të lëndës.
Secili prej librave është pajisur me një listë kontrolli, në të cilën ju duhet të
vini një shenjë për të treguar nëse fëmija i ka përvetësuar apo jo treguesit
që përmban lista. Kjo do t’ju ndihmojë për të ndërtuar punën me fëmijën,
duke përcaktuar nëse ai ka nevojë për përforcim të njohurive, si dhe për
ndonjë problem tjetër për të cilin duhen vënë në dijeni prindërit apo
psikologia.
Dhe, në përfundim, mos harroni vlerësimin e punës që kryen fëmija – me
fjalë dhe shprehje sintetizuese, si dhe me simbole vlerësuese. Kjo u jep
atyre kënaqësi dhe i nxit që të punojnë më shumë dhe më me dëshirë.

1. Udhëzime për përdorimin e librit të gjuhës shqipe

Mirë se erdhët në librin “Gjuha shqipe” për fëmijët e grupmoshës 3-4 vjeç
(grupi i parë)!
Libri “Gjuha shqipe” për grupin e parë, që është hartuar për fëmijët e
grupmoshës 3-4 vjeç, mbështetet plotësisht në “Programet e arsimit
parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), pikërisht në “Programin e lëndës së gjuhës
shqipe”, faqe 3-13.
Ky libër ofron veprimtari praktike për të lexuarit dhe të shkruarit. Si synim
kryesor ka realizimin e 4 kompetencave të fushës “Gjuhët dhe komunikimi”,
të përcaktuara në “Programet e parashkollorit” (mosha 3-4 vjeç), të cilat
janë:
1. Të dëgjuarit e teksteve të ndryshme.

2. Të folurit për të komunikuar.
3. Të lexuarit e teksteve letrare dhe joletrare.
4. Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale.

Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë
shumë edhe veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas
fushave të zhvillimit” ( Zhvillimi gjuhësor, faqe 13-35).
Duke plotësuar fletë pas flete këtë libër, fëmijët do ta kenë më të lehtë që,
duke dëgjuar gjuhën e folur, të mësojnë rregullat gramatikore, të pasurojnë
fjalorin me fjalë e shprehje të reja, të përgatiten për të lexuar, të bëjnë sikur
lexojnë duke ndjekur me gisht fjalët dhe fjalitë në tekste të shkruara, të
njohin shkronjat e shtypit të alfabetit, të vëzhgojnë detajet në figura, të
shqyrtojnë faqen nga e majta në të djathtë, të thonë tingujt e shkronjave, të
lidhin tingujt me figurat, të tregojnë një ngjarje të thjeshtë, të përdorin lapsin
me siguri në vetvete, të kopjojnë shkronjat e alfabetit etj.

2. Udhëzime për përdorimin e librit të arteve

Mirë se erdhët në “Librin e arteve” për fëmijët e grupmoshës 3-4 vjeç (grupi
i parë)!
“Libri i arteve” është hartuar duke u mbështetur plotësisht në “Programet e
arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), në programin e lëndës “Muzikë”,
faqe 46-50 dhe në programin e lëndës “Art pamor”, faqe 51-55.

I. Programi i muzikës. Ky program është konceptuar në funksion të të
nxënit gjatë gjithë jetës. Nëpërmjet veprimtarive të ndryshme mësimore-
edukative fëmijët zhvillojnë njohuritë artistike, duke kuptuar si funksionojnë

tingujt, ngjyrat, format, fjalët dhe lëvizjet.
Muzika synon të ndërtojë dhe të zhvillojë 3 kompetencat e lëndës:
1. Krijimi muzikor.
2. Performimi/ interpretimi muzikor.
3. Vlerësimi i veprave muzikore 2 .
Muzika dhe lëvizjet që e shoqërojnë atë janë mënyra të mrekullueshme për
të nxitur zhvillimin e fëmijëve, sepse muzika nënkupton ritëm dhe hapa, i
ndihmon fëmijët të shkarkojnë energjitë pozitive dhe negative dhe ta
mbajnë veten nën kontroll.
Muzika gjithashtu siguron mundësi të shumta për nxitjen e ndërveprimit
midis fëmijëve, prandaj do t’ju sugjeronim disa veprimtari praktike:
– Ndajini fëmijët nëpër “grupe muzikore” dhe zhvilloni një konkurs për
muzikën më të bukur. Kështu, secili grup duhet të bëjë së bashku muzikë
të bukur duke u rënë instrumenteve. Kjo u jep fëmijëve mundësinë të
punojnë si një skuadër. Për të bërë muzikë të bukur, duhet të vendosin të
luajnë shpejt ose ngadalë, me zë të lartë ose të butë një këngë të njohur
apo ndonjë krijim të ri, etj.
– Incizoni njërin nga fëmijët kur këndon dhe vëreni incizimin që ta dëgjojë
veten. Fëmijëve u pëlqen shumë kur dëgjojnë zërin e tyre.
– Incizoni tinguj të përditshëm: zilen e telefonit, tiktaket e orës, zhurmën e
fshesës me korrent, rrjedhjen e ujit, lehjen e qenit e kështu me radhë.
Vërini fëmijët ta dëgjojnë CD dhe të gjejnë tingujt.
– Incizoni veten kur duke lexuar përralla dhe imitoni zërat e kafshëve,
zogjve etj. Vëreni herë pas here CD me zërin tuaj dhe të fëmijëve duke
imituar zëra të ndryshëm.

2 “Programet e arsimit parashkollor” (Mosha 3-4 vjeç), Tiranë 2017, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 46

– Incizoni veten teksa lexoni një përrallë dhe kërkojuni fëmijëve të bëjnë
efektet e zërit ose të thonë rreshta të përsëritur, si: “Unë do të fryj, do të fryj
me tërbim dhe do të ta rrëzoj shtëpinë!”

II. Arti pamor. Arti është një nga fushat më të pëlqyera për fëmijët e kësaj
grupmoshe. Pikërisht arti pamor është fusha nëpërmjet së cilës mund të
realizohet shumë mirë integrimi lëndor, sepse fëmija, kur vizaton, ngjyros,
pret me gërshërë apo punon me plastelinë, nuk bën vetëm këto veprimtari,
por njëkohësisht numëron, mbledh, luan, zhvillon muskujt e vegjël të
gishtave, shoqërizohet me të tjerët etj.
Bazuar në këtë kurrikul, lënda e artit pamor synon të përmbushë 3
kompetencat e lëndës:
1. Krijimi artistik.
2. Realizimi i punimit
3. Vlerësimi i veprave të artit 3 .
Kur fëmijët vizatojnë, nëse ne si mësuese do të tregojmë më shumë
vëmendje, do të vëmë re disa faza të përcaktuara zhvillimi. Trevjeçari kap
lapustilën dhe shkarravit. Pasi mbush një faqe, ai shikon krijimin e vet dhe
pastaj thotë se çfarë ka vizatuar. Kur përparon më tej, trevjeçari do të fillojë
të kopjojë forma gjeometrike. Zakonisht, vetëm në moshën katërvjeçare
vihen re format e kuptueshme në vizatimin e fëmijës.
Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë
shumë edhe veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas
fushave të zhvillimit” (Zhvillimi fizik dhe shëndetësor, faqe 163-279).

3 “Programet e arsimit parashkollor” (Mosha 3-4 vjeç), Tiranë 2017, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 51

3. Udhëzime për përdorimin e librit të edukatës shoqërore

Mirë se erdhët në librin “Edukata shoqërore” për fëmijët e grupmoshës 3-4
vjeç (grupi i parë)!
Libri “Edukata shoqërore” është hartuar duke u mbështetur në “Programet
e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), pikërisht në “Programin e lëndës
edukim për shoqërinë”, faqe 31-40.
Nëpërmjet veprimtarive të kësaj lënde, fëmija zhvillon kompetencat e
nevojshme për të përmbushur rolin e tij si pjesëtar i një shoqërie
shumëkulturore dhe demokratike në një botë gjithnjë e më të ndërvarur.
Këto kompetenca janë:
1. Kompetenca shoqërore dhe qytetare.
2. Kompetencat personale.
3. Kompetenca ndërpersonale.
4. Kompetenca ndërkulturore 4 .
Tematikat mbi të cilat është organizuar përmbajtja e programit të kësaj
lënde kanë të bëjnë me: individët, grupet, shoqëria; kultura; kronologjia,
ndryshimi dhe vazhdimësia; njerëz, vende dhe mjedise; pushteti, autoriteti,
qeverisja; proceset shoqërore; prodhimi, konsumi, shpërndarja.
Është provuar se fëmijët që ndihen të sigurt mësojnë më shpejt se fëmijët e
tjerë që janë të pasigurt, të cilët e kanë më të vështirë t’i përvetësojnë
njohuritë e reja. Prandaj, me qëllim që t’i bëjmë fëmijët të ndihen të sigurt,
duhet t’i nxitim ata që të luajnë me njëri-tjetrin. Të qenit pjesë e grupit gjatë
veprimtarisë mësimore-edukative ose gjatë lojës është i rëndësishëm për
fëmijët, sepse ata shohin dhe imitojnë sjelljet e të tjerëve duke kopjuar

4 “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), Tiranë, 2017, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 31.

lëvizjet, tingujt dhe shprehjet e përshtatshme në situata të caktuara. Mbi të
gjitha, ata kanë nevojë të kuptojnë se si i zgjidhin të tjerët problemet, si i
trajtojnë situatat e vështira dhe si reagojnë ndaj zbavitjes dhe ngazëllimit.
Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë
shumë edhe veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas
fushave të zhvillimit” (Zhvillimi social dhe personal, faqe 283-311).

Këtu, më shumë se kudo, zë vend ajo çfarë shkruan Dorothy Laë Nolte:

Nëse një fëmijë rritet me kritika, ai mëson të dënojë.
Nëse një fëmijë rritet me armiqësi, ai mëson të luftojë.
Nëse një fëmijë rritet me turp, ai mëson të ndihet fajtor.
Nëse një fëmijë rritet me tolerancë, ai mëson të ketë durim.
Nëse një fëmijë rritet me inkurajim, ai mëson të ketë besim te vetja.
Nëse një fëmijë rritet me admirim, ai mëson të vlerësojë.
Nëse një fëmijë rritet me ndershmëri, ai mëson drejtësinë.
Nëse një fëmijë rritet me siguri, ai mëson besimin tek të tjerët.
Nëse një fëmijë rritet me miratim, ai mëson të pëlqejë veten.
Nëse një fëmijë rritet i pranuar, ai mëson të gjejë dashurinë në botë.

Sasia

Kategoria: Botimet e reja, Libra për fëmijët 3-4 vjeç

Libra të ngjashëm

Menu
Keni pyetje? Na shkruaj :)