1. Home
  2. Libra për fëmijët 2-6 vjeç
  3. Libra për fëmijët 3-4 vjeç
  4. LIBRI 2 Për lëndët: Matematikë Dituri natyre Edukimi fizik, sportet dhe shëndeti (Për fëmijët e grupmoshës 3-4 vjeç)
Botimet e reja, Libra për fëmijët 3-4 vjeç

LIBRI 2 Për lëndët: Matematikë Dituri natyre Edukimi fizik, sportet dhe shëndeti (Për fëmijët e grupmoshës 3-4 vjeç)

Autor: DR. Ermioni Cekani
5.00 

Përshkrim i shkurtër:

Librat për grupin e parë janë hartuar duke u mbështetur plotësisht në
“Kurrikulën e Re të Arsimit Parashkollor”, në “Standardet e zhvillimit dhe të
të nxënit”, si dhe në “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç) 1 ,
ku theksohet: “Për çdo fushë të nxëni janë ndërtuar programe, nëpërmjet të
cilave përmbushen si rezultatet e kompetencave kyçe, ashtu edhe
kompetencat lëndore”.

Kompetencat kyçe për nxënie gjatë gjithë jetës, janë 7:
1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit.
2. Kompetenca e të menduarit.
3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë.
4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin.
5. Kompetenca vetjake.
6. Kompetenca qytetare.
7. Kompetenca digjitale.

Për secilën prej këtyre kompetencave janë përcaktuar njohuritë që fëmija
duhet të zotërojë në përfundim të grupit të parë. Këto njohuri ne i kemi
pasqyruar në veprimtari praktike dhe mësimore-edukative te librat e grupit
të parë.
Niveli i veprimtarive të secilit prej librave të kompletit të grupit të parë vjen
duke u vështirësuar në mënyrë progresive. Prandaj, disa këshilla për të
arritur rezultatet e dëshiruara mund të ishin:
– punoni me secilin prej librave sipas radhës në të cilën janë vendosur
njohuritë që duhet të përvetësohen,

1 . “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), Tiranë, 2017, Instituti i Zhvillimit të Arsimit.

– nëse fëmija lodhet ose mërzitet me ndonjërën nga faqet, kalojeni atë faqe
për t’iu rikthyer sërish një ditë tjetër, kur fëmija të ndihet i gatshëm,
– përsëritini gjërat vazhdimisht, sepse përsëritja dhe praktika do ta
ndihmojnë fëmijën të ndërtojë aftësitë dhe sigurinë,
– kur i pyesni fëmijët, konkretizojuani pyetjen me figura (mos i fshihni
figurat, sepse ato janë të dhëna vizuale dhe fëmijët kanë nevojë për to në
këtë grupmoshë),
– zgjidhni një çast kur fëmija është i gatshëm për të mësuar (jo ta ulni pa
dëshirën e tij),
– lexoni me zë të lartë dhe tregoni me gisht udhëzimet në secilën faqe (ato
janë shkruar duke përdorur një fjalor të thjeshtë për grupmoshën, por juve
mund t’ju duhet t’i shpjegoni edhe më shumë, kur fëmija jua kërkon këtë),
– ndihmojeni fëmijën ta mbajë lapsin ashtu siç duhet,
– lavdërojeni dhe vlerësojeni për punën dhe përpjekjet e tij,
– mos i lini fëmijët që të mundohen gjatë (më mirë jepini ndihmë sesa të
“prisni” për një përgjigje).
Këto libra janë hartuar me kërkesa të qarta, janë shoqëruar me figura
zbavitëse relativisht të mëdha, bardhë e zi apo me ngjyra, në mënyrë që të
tërheqin vëmendjen e fëmijëve dhe të nxisin interesin e tyre për të punuar
me dëshirë.
Çdo temë dhe veprimtari e këtyre librave parakupton që edukatorja dhe
fëmijët (apo prindërit dhe fëmijët) të punojnë së bashku, sepse fëmijëve të
kësaj grupmoshe iu nevojitet udhëzimi dhe mbështetja.
Në krye të secilës prej faqeve të këtyre librave është vendosur kompetenca
që synon të realizohet në atë temë dhe njohuria që pritet të përvetësohet.
Lexojini me zë të lartë udhëzimet në çdo faqe, përsëritini disa herë, deri sa
të bindeni që fëmija i ka kuptuar.

Në përfundim të çdo libri është një test përfundimtar, i cili synon që të matë
njohuritë që fëmija ka fituar, por edhe nëse ato përputhen me rezultatet e
pritshme të lëndës.
Secili prej librave është pajisur me një listë kontrolli, në të cilën ju duhet të
vini një shenjë për të treguar nëse fëmija i ka përvetësuar apo jo treguesit
që përmban lista. Kjo do t’ju ndihmojë për të ndërtuar punën me fëmijën,
duke përcaktuar nëse ai ka nevojë për përforcim të njohurive, si dhe për
ndonjë problem tjetër për të cilin duhen vënë në dijeni prindërit apo
psikologia.
Dhe, në përfundim, mos harroni vlerësimin e punës që kryen fëmija – me
fjalë dhe shprehje sintetizuese, si dhe me simbole vlerësuese. Kjo u jep
atyre kënaqësi dhe i nxit që të punojnë më shumë dhe më me dëshirë.

1. Udhëzime për përdorimin e librit të matematikës

Mirë se erdhët në librin “Matematika” për fëmijët e grupmoshës 3-4 vjeç
(grupi i parë)!
Libri “Matematika” për grupin e parë, që është hartuar për fëmijët e
grupmoshës 3-4 vjeç, mbështetet plotësisht në “Programet e arsimit
parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), pikërisht në “Programin e lëndës së
matematikës”, faqe 14-21.
Në këtë libër gjenden veprimtari praktike për përforcimin e aftësive
matematikore të fëmijëve të kësaj grupmoshe, ashtu siç kërkohet nga
“Kurrikula e re e arsimit parashkollor” dhe te “Standardet e zhvillimit dhe të
të nxënit”, për grupmoshat 3-6 vjeç. Bazuar në këtë kurrikul dhe në këto

standarde, lënda e matematikës për grupin e parë synon të përmbushë 4
kompetenca, të cilat arrihen nëpërmjet tematikave kryesore të
matematikës. Këto kompetenca renditen si më poshtë:
1. Zgjidhja e situatave të thjeshta problemore.
2. Arsyetimi dhe komunikimi matematik.
3. Modelimi matematik dhe lidhja konceptuale.
4. Përdorimi i teknologjisë në matematikë 2 .
Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë
shumë edhe veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas
fushave të zhvillimit” (Zhvillimi matematikor, faqe 39-160).
Nëpërmjet veprimtarive dhe situatave të thjeshta problemore të këtij libri,
fëmijët do të marrin njohuritë e para në matematikë, do të përforcojnë
arsyetimin logjik, do të njihen me konceptet themelore matematikore dhe
do të krijojnë aftësi për: njohjen e numërorëve dhe numërimin, njohjen e
ngjyrave, njohjen e formave, klasifikimin apo bashkimin, modelimin sipas
një modeli të dhënë; do të marrin njohuritë e para për përdorimin e
teknologjisë në matematikë etj.
Përveç veprimtarive që janë përfshirë në këtë libër, ka shumë e shumë
lodra, gjëza, vjersha e tregime (shih: “Materiale mbështetëse për fëmijët e
grupit të parë”, Polis, Tiranë 2016) që i ndihmojnë fëmijët e grupmoshës 3-
4 vjeç të përvetësojnë konceptet e matematikës. Synimi është që fëmijët të
aftësohen në mënyrë të tillë që këto koncepte t’i përdorin në jetën e
përditshme, duke i përsëritur dhe praktikuar.

2 . “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), Tiranë, 2017, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe
14.

2. Udhëzime për përdorimin e librit të diturisë së natyrës

Mirë se erdhët në librin “Dituri natyre” për fëmijët e grupmoshës 3-4 vjeç
(grupi i parë)!
Libri “Dituri natyre” për grupin e parë, që është hartuar për fëmijët e
grupmoshës 3-4 vjeç, mbështetet plotësisht në “Programet e arsimit
parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), pikërisht në “Programin e diturisë së
natyrës”, faqe 22-30.
Veprimtaritë mësimore-edukative dhe konceptet e thjeshta në dukje, si ato
që lidhen me diversitetin, ciklet, ndërveprimet dhe sistemet, janë mundësi
ideale për të nxitur, përmes lojës dhe kërkimit shkencor, zhvillimin shkencor
të fëmijëve të kësaj grupmoshe. Për të thelluar njohuritë, mund të realizoni
me fëmijët veprimtari që lidhen me jetën e përditshme, sepse atëherë e
kanë më të lehtë t’i kuptojnë dhe t’i përvetësojnë njohuritë e përcaktuara
për këtë lëndë.
Kompetencat shkencore zhvillohen përmes tematikave dhe në program
zbërthehen në njohuri, shkathtësi, vlera dhe qëndrime. Ato janë:
1. Identifikimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre.
2. Përdorimi i mjeteve, i objekteve dhe i procedurave shkencore.
3. Komunikimi në gjuhën dhe në terminologjinë e shkencës 3 .
Këto kompetenca do të realizohen nëpërmjet hetimit, kërkimit, zbulimit,
vëzhgimit dhe eksperimentimit, si dhe duke lidhur të nxënit me përvojat
reale të fëmijëve dhe jetën e përditshme të tyre. Ne si mësuese (apo si
prindër) e kemi për detyrë të krijojmë sa më shumë mundësi eksplorimi dhe

3 “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), Tiranë, 2017, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 22.

nxënieje për fëmijët, sepse kështu ata do të zhvillojnë aftësinë e të kuptuarit
të proceseve.
Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë
shumë edhe veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas
fushave të zhvillimit” (Zhvillimi shkencor, faqe 315-335).

3. Udhëzime për përdorimin e librit të edukimit fizik, sporteve dhe

shëndetit

Mirë se erdhët në librin “Edukimi fizik, sportet dhe shëndeti” për fëmijët e
grupmoshës 3-4 vjeç (grupi i parë)!
Libri “Edukimi fizik, sportet dhe shëndeti” është hartuar duke u mbështetur
në “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), pikërisht në
“Programin e lëndës edukim fizik, sporte dhe shëndet”, faqe 41-45.
Aktiviteti fizik i ndihmon fëmijët për të përmirësuar mundësitë fizike, aftësitë
koordinative, si dhe zhvillimin e aftësive personale dhe ndërpersonale, të
cilat ndikojnë në rritjen e mirëqenies së tyre fizike dhe në sigurimin e një jete
aktive dhe të shëndetshme. Gjithashtu, fëmijët zhvillojnë kapacitete
motorike, edukojnë cilësi njohëse dhe edukative me anë të lojërave të
ndryshme parasportive.
Veprimtaritë e lëndës “Edukimi fizik, sportet dhe shëndeti” synojnë të
përmbushë 3 kompetenca:
1. Shfaqja e aftësive lëvizore në përshtatje me situata të ndryshme lëvizore
e sportive.
2. Ndërveprimi me të tjerët në situata të ndryshme lëvizore e sportive.
3. Përshtatja me një stil jete aktive e të shëndetshme 4 .

Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë
shumë edhe veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas
fushave të zhvillimit” (Zhvillimi fizik dhe shëndetësor, faqe 339-354).

4 “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 3-4 vjeç), Tiranë. 2017, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 41.

Sasia

Kategoria: Botimet e reja, Libra për fëmijët 3-4 vjeç

Libra të ngjashëm

Menu
Keni pyetje? Na shkruaj :)