Sejdin Cekani
Ka lindur më 10 gusht të vitit 1959 në Polis të Librazhdit. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Elbasan (Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”). Në vitin 1983 përfundoi studimet universitare në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega gjuhë – letërsi shqipe.
Me gazetari ka filluar të merret që kur ishte student, si bashkëpunëtor në gazetat “Studenti”dhe “Bashkimi”.
Që nga viti 1983, kur u diplomua, e deri në vitin 1996, për 13 vjet pa ndërprerje, ka punuar gazetar në redaksinë e së përditshmes “Zëri i Popullit” dhe si korrespondent në rrethet Elbasan, Librazhd e Gramsh. Në vitet ’90 ka bashkëpunuar edhe me organe të tjera të shtypit dhe për dy vjet (1999-2001) ka qenë redaktor letrar në revistën “Spektër”.
Ka lëvruar thuajse pjesën më të madhe të llojeve të shkrimeve, si informacionin, vëzhgimin, shkrimet problemore, përshkrimin e reportazhin. Temat e tij më të parapëlqyera kanë qenë ato nga fusha e kulturës dhe artit, jeta e rinisë dhe problemet sociale. Disa prej shkrimeve të tij janë nënshkruar me pseudonimet Gjergj Polisi dhe Martin Teli.
Për tre vjet ka qenë pedagog i jashtëm pranë katedrës së letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
Pas viteve ’90 ka kryer kurse të shkurtra kualifikimi pranë Institutit Shqiptar të Medias, ndërsa në vitin 1996 është vlerësuar me diplomë nderi nga fondacioni “Friedrich Hebertt” për shkrimet me karakter social e mjedisor.
Që nga viti 2000, S. Cekani është caktuar kryeredaktor i revistës periodike “Politika dhe shoqëria”, botim i Institutit të Studimeve Politike e Sociale (sot me emrin Studime Sociale, që botohet nga Instituti i Sociologjisë).
Që prej vitit 1996 vijon të japë ndihmesën e vet si redaktor në fushën e botimeve (në shtëpitë botuese “Onufri”, “Rinia”, atë të Ushtrisë, si dhe bashkëpunëtor i disa shtëpive të tjera botuese në Tiranë e Shkup) dhe është redaktor i më se 450 librave, kryesisht nga fusha e letërsisë.
Për një kohë të gjatë ka kryer detyrën e kryeredaktorit në shtëpitë botuese “Dudaj” dhe “Max”.
(Marrë nga libri “GAZETARË DHE PUBLICISTË SHQIPTARË”, 2005)