Sot në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë – isha pjesë e Forumit “GRATË DHE VAJZAT NË SHKENCË”,
Organizuar nga:
Instituti Shqiptar i Sociologjisë (AIS) – Shoqata Sociologjike Shqiptare (ALBSA)
COD – Center for Openness and Dialogue
UNIVLORA – Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë
UAMD – Departamenti i Sociologjisë
AU – Albanian University
UNIShkodra – Departamenti i Psikologjise dhe Punes Sociale
Në fjalën time midis të tjerash theksova se:
“Kjo ditë shënjon kontributin e grave dhe vajzave në shkencë, por njëkohësisht shërben për të nxitur edhe vajzat dhe gratë e tjera që të përfshihen sa më shumë në fusha të ndryshme të shkencës dhe dijeve njerëzore.
Pavarësisht se përvoja ime është e lidhur me të gjitha nivelet e arsimit, sot do të përqendrohem posaçërisht në një fushë që, në shumicën e herëve, anashkalohet për nga rëndësia që ajo ka.
E kam fjalën për edukimin që në fëmijërinë e hershme.
Dhe meqë kjo ditë synon të promovojë nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në shkencë, nuk duhet harruar se dijet shkencore përvetësohen në shkollë dhe, nëse do ta fillonim ngjitjen sipas radhës, shkalla e parë që duhet të ngjitin gratë dhe vajzat që do të japin kontributin e tyre në shkencë në të ardhmen, është pikërisht fëmijëria e hershme apo grupmosha 3-6 vjeç.
Në të vërtetë, fëmijëria e hershme është mosha më kritike, sepse ndërhyrja cilësore në këtë moshë ka një normë të lartë kthyeshmërie në gjithë sistemin e arsimit të detyrueshëm dhe për të gjithë personat që përfitojnë nga kjo ndërhyrje. (Për çdo 1 dollar të investuar, pas disa vitesh rikthehet në 27 dollarë.)
Për të kuptuar dhe vlerësuar rëndësinë e madhe që ka kjo periudhë në përgatitjen e të gjitha profesioneve, për nxitjen e talenteve në shkencë dhe fusha të tjera, si dhe për formimin dhe rritjen e individit të lirë dhe të përgjegjshëm, mjafton të kujtojmë se psikologët për këtë periudhë shprehen se: “nëse zhvillimin e njeriut nga dita që lind e deri sa vdes do ta krahasonim me një ndërtesë dhjetëkatëshe, tetë katet e para hidhen deri në moshën gjashtë vjeç”.
Rëndësia e kësaj që theksova më lart shprehet edhe me faktin që Agjenda e vitit 2030 (që është një kornizë globale 15-vjeçare e përqendruar në 17 objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), e cila përmban 169 synime dhe mbi 230 tregues), midis të tjerave synon, një botë me arsim cilësor.
Nga ana tjetër arsimi cilësor fillohet si i tillë që me edukimin në fëmijërinë e hershme.
Kjo është shprehur qartë edhe në njërin nga 17 objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe pikërisht tek objektivi nr. 4: Sigurimi i arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të drejtë dhe nxitja e mundësive për mësim gjatë gjithë jetës për të gjithë.
Meqenëse edhe qeveria shqiptare ka miratuar dhe ka rënë dakord të realizojë Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm, për ta bërë realitet këtë duhet të fillojë puna që në fëmijërinë e hershme për një arsimim cilësor, sepse të nxënit fillon që në moshë të vogël.
Por, po t’u referoheshim shifrave të punonjësve arsimorë të këtij niveli arsimi, do të vinim re që në vendin tonë, gati 100% janë gra dhe vajza (mund të jetë nga sektorët e rrallë ku barazia gjinore nuk ekziston, por në këtë rast në krah të kundërt).
Kjo nënkupton që nxitjen, motivimin, inkurajimin, frymëzimin, ofrimin e modeleve, nisjen e aftësive kijuese, zbuluese, hulumtuese etj., për t’u bërë shkencëtaret e ardhshme, Shqipëria ua ka besuar grave dhe vajzave që punojnë si mësuese në arsimin parashkollor.
Në këtë ditë të veçantë për kontributin e grave dhe vajzave në shkencë, unë do të dëshiroja të evidentoja dhe kujtoja sot Marie Montesoret e Shqipërisë.
Ato zonja të nderuara që krijuan bazat e një mësimdhënieje dhe mësimnxënieje në fëmijërinë e hershme dhe në arsimin parashkollor.
Për disa mund të jenë emra të padëgjuara më parë, por puna e tyre në heshtje, me përkushtim, me profesionalizëm, me përgjegjësi të lartë institucionale hodhi themelet e një arsimi cilësor gjithëpërfshirës.
Disa emra me kontribute në këtë fushë janë: Pavlina Radovani, Efterpi Avrazi, Vojsava Sharko, Zoica Koja, Emine Oktrova, Tefta Gugushi, Sofije Hoshafi, Liri Dodbiba etj.
Nëse duam të kemi sa më shumë gra dhe vajza të orientuara drejt shkencës, duhet të investojmë për edukimin që në këtë fazë të jetës së fëmijëve, duke bërë përpjekje që pikat e dobëta t’i kthejmë në pika të forta.
Pa mohuar punën që u ka paraprirë ndryshimeve në këtë nivel arsimimi, do të shfrytëzoj këtë forum ku marrin pjesë zonja të nderuara e me kontribute të spikatura në fusha të ndryshme dhe që kanë ndikim në vendimmarrje, në mënyrë që të përpiqemi të përmirësojmë ato gjëra që nuk funksionojnë ashtu siç duhet.
Ndër të tjera do të përmendja:
- Mbyllja e Shkollës së Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan ka bërë që të bjerë niveli i nxënësve që vazhdojnë studimet në fakultetet e mësuesisë.
- Mungesa e studimeve në ciklin e dytë të studimeve “master” për arsimin parashkollor.
- Mospërfshirja e drejtueseve të arsimit parashkollor në shkollën e drejtorëve, ashtu si për nivelet e tjera të arsimit parauniversitar.
- Numri i fëmijëve mbi normën mësimore të përcaktuar për një grup mësimor.
- Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme (jo në të gjitha rastet).
- Krijimi i klasave përgatitore pranë shkollave, pa një studim të saktë dhe pa përshtatur klasat e shkollave për klasa përgatitore.
- Varësia e dyfishtë – Bashki dhe ZVA – ka krijuar pështjellim që ndikon te cilësia e punës.
- Mungesa e monitorimit të institucioneve arsimore parashkollore jopublike.
- Mungesa e botimeve periodike për mësueset dhe fëmijët që përfshihen në grupmoshën e fëmijërisë së hershme.
- Motivimi i ulët për mësimdhënien.
- Trajnime të pamjaftueshme nga institucionet përkatëse.
- Etj.
Le të ndërtojmë politika arsimore duke u mbështetur në filozofinë e Montesorit, sipas së cilës: “Të menduarit e fëmijës është krejt i ndryshëm nga të menduarit e të rriturit dhe përmbajtja, struktura dhe i gjithë procesi i edukimit duhet të vihen në shërbim të nevojave të tij dhe jo të asaj se çfarë mendojnë të rriturit”.
Montesori e trajtonte fëmijën si një qenie unike, të përgjegjshëm dhe të suksesshëm, të pavarur në ndërveprimin e tij me njerëzit dhe me mjedisin që e rrethon.
Të tillë duhet ta trajtojmë edhe ne në vendin tonë.
Nuk duhet të harrojmë se kalimi në nivelet e tjera të arsimit do të jetë më i lehtë nëse fëmija vjen nga një përvojë e mirë e edukimit parashkollor.
Nëse duam të kemi më shumë gra dhe vajza shkencëtare, që do të na bëjnë krenare në të ardhmen, le të investojmë (jo vetëm materialisht) më shumë për edukimin që në fëmijërinë e hershme”.