Nga Dr. Ermioni CEKANI
Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit tronditi e traumatizoi të rritur e fëmijë.
🚨 Jemi një vend i pamësuar me situata të tilla dhe shpeshherë nuk dimë si të sillemi, si t’i përballojmë, si të bëjmë përpjekje për rikthim në normalitet, si t’i menaxhojmë traumat, si t’i kapërcejmë dëmet psikologjike e materiale etj.
🚨 Pasi kanë kaluar tri ditë nga tërmeti i fortë dhe goditjet e tjera po aq dramatike që pasuan, jemi në çastin kur duhet të gjejmë forca e t’i rikthehemi normalitetit.
🚨Siç dihet, tërmeti ndodhi në orën 03:54 të mëngjesit. Pra, jo në një orar kur fëmijët mund të ishin nëpër çerdhe, kopshte apo shkolla. Mendojeni për një çast se çfarë mund të ndodhte në Durrës, Thumanë apo në Tiranë, nëse ky tërmet i fortë do të kishte ndodhur në orarin kur fëmijët janë nëpër institucione dhe prindërit janë në punë. Përveç dëmeve potenciale të mundshme, ndoshta deri dhe tragjike, më së paku do të kishte kaos në rrugë e institucione arsimore, merak, ankth e pasoja të rënda psikologjike.
🚨 Duke marrë shkas nga ky tërmet, disa të vërteta duhet t’ia themi në sy njëri-tjetrit dhe të fillojmë të mendojmë e të veprojmë menjëherë për marrjen e masave për rastet e emergjencës, të tilla si: tërmete, zjarre, përmbytje, rrjedhje gazi, sulm me armë nga individë të çekuilibruar, etj.
🚨Ka ardhur koha që për çerdhet, kopshtet dhe shkollat duhet të bëhet një analizë e hollësishme dhe të fillohet me ndryshimet, madje duke filluar që nga kurrikulat e kopshteve dhe shkollave.
🚨Analiza e situatës në fokusin e pyetjeve të mëposhtëme do të na ndihmojë për të shqyrtuar dhe ndryshuar pikat e dobëta:
- A kanë instutucionet tona publike dhe jopublike një plan evakuimi të fëmijëve në situata të tilla?
- Dinë fëmijët apo nxënësit tanë se si duhet të sillen në raste emergjence?
- Po mësuesit, a e dinë radhën e veprimeve në një rast të pazakontë?
- A kanë të gjitha shkollat apo kopshtet tona shkallë emergjence? (Kur bie tërmeti, ai nuk zgjedh vetëm Tiranën, institucionet e së cilës mund t’i kenë shkallët e emergjencës.)
- Po një plan të shkruar dhe të afishuar pë radhën e veprimeve, me emrat e mësuesve që janë përgjegjës për veprime të caktuara gjatë një situate të tillë, a e kanë insititucionet tona publike dhe jopublike?
- Sa herë janë simuluar situata të tilla dhe si kanë rezultuar ato? Pas simulimit apo krijimit artificial të një situate emergjence, a është bërë ndonjë analizë për të njohur pikat e dobëta dhe për ta ndryshuar e përmirësuar situatë aktuale?
- A janë të afishuara këshillat në mjediset e klasave (shoqëruar edhe me figura), se si duhet të veprohet që fëmijët të mos rrezikojnë? Duke i patur të afishuara rregullat edhe me figura, fëmijët do t’i përforcojnë edhe nga ana vizuale këto veprime.
- A zhvillohen tema në kurrikulat tona për këto situata emergjence?
Shumë e rëndësishme për fëmijët është edhe periudha e rehabilitimit pas fatkeqësisë (tërmet, zjarr, përmbytje etj.). 👫👬👭
Me fëmijët duhet të bisedohet për këto fenomene, duke ua bërë të qartë se vërtet ne nuk mund ta parashikojmë tërmetin (apo fatkeqësi të tjera natyrore), por ama kemi mundësi të mbrohemi prej tij. Prandaj duhet t’ua shpjegojmë dhe t’ua demonstrojmë mënyrat sesi mund të mbrohemi duke simuluar situata të tilla, si dhe t’ua rikthejmë fëmijëve sigurinë e cenuar për shkak të situatës së vështirë që kanë kaluar.🚨🚨🚨
Në librat e Botimeve “Polis” për fëmijët e arsimit parashkollor i kemi trajtuar prej kohësh këto tema, për të cilat shpehherë kemi patur kontestime e mospëlqime, duke i konsideruar si të panevojshme.
Le të fillojmë të japim kontributin tonë secili sipas profesionit që kemi, sipas informacioneve që zotërojmë, në mënyrë që situata të tilla t’i përballojmë dhe t’i menaxhojmë më mirë dhe pa panik e ankth.